Ku është Maqedonia e Veriut në rregullat që kërkon Bashkimi Europian?

0
30

Xhenis Sulimani

Shtetet moderne, sot, maten me gatishmërinë për të lidhur partneritete, si bilaterale, multilaterale, qoftë në rrafshin rajonal a më gjerë. Shtetet serioze kanë shumë miq, brenda dhe jashtë rajonit. Krijojnë asociacione e unione, për të rritur bashkëpunimin, dialogun politik dhe paqen, me qëllim zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Republika e Maqedonisë së Veriut ka çaluar në këtë drejtim. Ajo fillimisht, ka ngrecur në reformat në lidhje me gjyqësorin. Ngjarjet politike, kohëve të fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë vërtetuar se gjyqësori në fakt është ajo shtylla që mungon për të pasur stabilitet ky vend. Figurativisht themi që mungon shtylla e gjyqësorit, por realisht, ajo është aty, por po tentojnë ta shembin.

Kush dhe pse? Kjo është çështja që shumë pak trajtohet edhe në opinion. E kur pak trajtohet, këtë si vakum e shfrytëzojnë politikanët, për ta kapur sistemin dhe për ta drejtuar atë pa rregulla.

1.

Do ndalem te kapitulli 23, kapitulli më i rëndësishëm në negociatat për aderim në Bashkimin Europian, njëherazi më sfiduesi, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por për të gjithë vendet e rajonit, ku politika e ka vështirë t’i heq kthetrat nga gjyqësori.

Shkurtimisht, përmbledhja e asaj që kërkon kapitulli 23 është si vijon: 1. Pavarësia e gjyqësorit. Sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur nga pushtetet e tjera, sidomos nga ndikimi politik. Duhet të garantohet efikasiteti, profesionalizmi dhe integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kërkohet reformim i sistemit të emërimeve, vlerësimeve dhe disiplinimit të gjyqtarëve. 2. Lufta kundër korrupsionit. Duhet të ekzistojnë struktura të forta për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. Kërkohet strategji kombëtare kundër korrupsionit, zbatim efektiv i ligjit dhe bashkëpunim ndërinstitucional. 3. Të drejtat themelore dhe të drejtat e njeriut. Shteti kandidat duhet të garantojë respektimin e të drejtave themelore, në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Duhet të mbrojë të drejtat e pakicave, liritë themelore si liria e shprehjes, e fesë, e tubimit, etj. 4. Politikat për të drejtat e qytetarëve. Garanci për barazi para ligjit, trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët. Duhet të respektohen të drejtat sociale, kulturore dhe ekonomike të individit.

Në procesin e zgjerimit të BE-së, kapitulli 23 shpesh hapet në fillim dhe mbyllet në fund, sepse zbatimi i tij është i ndërlidhur me besimin themelor që BE-ja duhet të ketë tek shteti kandidat. Megjithatë, Maqedonia e Veriut ka hasur vështirësi në sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit. Raportet e fundit të Komisionit Evropian dhe të organizatave ndërkombëtare theksojnë disa fusha problematike që pengojnë përparimin e vendit në këtë drejtim:

Një nga shqetësimet kryesore është niveli i ulët i pavarësisë së gjyqësorit. Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2024 thekson se “niveli i perceptuar i pavarësisë së gjyqësorit është shumë i ulët” dhe se “vendimet për emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë kritikuar nga shoqëria civile për mungesë motivimi të plotë dhe bazim në kritere objektive” . Gjithashtu, procedurat e diskutueshme për shkarkimin e Presidentit të Këshillit Gjyqësor dhe ndërhyrjet politike në punën e këtij institucioni kanë ngritur shqetësime për ndikime të jashtme të papranueshme.

Në Raportin e progresit rekomandohet që Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Shkarkimi i diskutueshëm i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik.

“Progresi në zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe shërbimet e prokurorisë ishte i kufizuar. Mungesa e masave për të adresuar ndikimin e pensioneve të planifikuara ndikoi në efikasitet. Shumica e gradimeve për gjykatat më të larta u përballën me vonesa të mëtejshme. Vazhdoi puna për përmirësimin e sistemit të automatizuar informativ të menaxhimit të çështjeve gjyqësore për shpërndarjen e lëndëve nëpër gjykata. Një sistem i ngjashëm është futur edhe në Prokurorinë Publike”, thuhet në raport.

Brukseli vazhdimisht ka përsëritur kërkesën për largimin e “duarve” të ekzekutivit nga pushteti gjyqësorë. Komisioni Evropian në raportin e progresit të publikuar me 30 tetor 2024, tha se njoftimet e qeverisë së re për planet për ‘shpërbërjen’ e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë janë shqetësim serioz, pasi veprime të tilla do të cenonin pavarësinë e gjyqësorit. Sa i përket fushës së korrupsionit, theksohet se ai është i përhapur në shumë fusha dhe kërkohen hetime proaktive në kohë, profesionale dhe transparente. 

Këshilli Gjyqësor, institucioni kryesor për menaxhimin e gjyqësorit, ka pasur vështirësi në përmbushjen e detyrave të tij. Por, kjo e fundit nuk ka rreshtur së ankuari se ka presione të shumta nga politika.

“Anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo formë presioni dhe ndikimi, në mënyrë që të vendosin në mënyrë të pavarur dhe autonome, dhe në këtë drejtim, Këshilli Gjyqësor u bën thirrje të gjithë bartësve të funksioneve publike të respektojnë në mënyrë të vazhdueshme Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën, me qëllim sundimin e ligjit dhe kthimin e besimit të qytetarëve në sistem”, thuhej në një nga kumtesat e fundit të Këshillit Gjyqësor.

2

Shumë qytetarë kanë humbur besimin në drejtësi për shkak të korrupsionit. Një sondazh i vitit 2022 ka treguar se vetëm 4% e qytetarëve besojnë shumë në gjyqësor, ndërsa 19% besojnë disi . Mungesa e transparencës në proceset e emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka kontribuar në këtë situatë.

Rasti më eklatant i akuzave për përzeirje të politikës në gjyqësor është i dorëheqjes së kryetarjes së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Ajo theksoi se në periudhën e kaluar politikanët nga pushteti kanë bërë tentativa për të cenuar integritetin e saj personal. Ajo e drejtoi gishtin nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Akuzat për partizimin në Këshillin e Prokurorëve dhe Këshillin Gjyqësor nuk janë ndalur, që do të thotë se në këtë drejtim nuk ka përmirësim, si në sistem juridik ashtu edhe në mendësinë e vepruesve.

Një argument tjetër për mendësinë e politikanëve se “shteti jam unë”, si dhe për përkeqësimin e shtetit ligjor kur partitë politike janë thellë të infiltruarë në gjyqësor është edhe futja e ish kryeministrit Artan Grubi, kuadër i BDI-së dhe gjykatësit Enver Bexhetin në të a.q. Lista e Zezë amerikane. Në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, kuadër i VMRO-DPMNE-së.

3

Reformat e pamjaftueshme dhe vonesat

Pavarësisht disa përpjekjeve për reforma, implementimi i strategjive të reja ka hasur në vonesa dhe pengesa. Adoptimi i një strategjie të re për reformën në drejtësi është pritur pas kohe, dhe implementimi i strategjive të burimeve njerëzore ka qenë i kufizuar . Gjithashtu, ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023 kanë dobësuar kornizën ligjore për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në përgjithësi, Maqedonia e Veriut ka pasur vështirësi të mëdha në sigurimin e pavarësisë së plotë të gjyqësorit, një çështje kyçe për përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian. Përparimi në këtë fushë kërkon angazhim të qëndrueshëm dhe reforma të thella institucionale.

Por, a ka mundësi për kthesë, dhe cka mund të sjellim si konkluzion? Po, ka shpresë në luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, por ajo kërkon përkushtim të qëndrueshëm, reforma të thella dhe presion të vazhdueshëm. Të gjithë protagonistët, politikë e apolitikë duhet të bëjnë punën e vet. Që nga edukata familjare deri te ajo institucionale, pastaj shoqëria civile, mediat, por edhe ndihma e domosdoshme e bashkësisë ndërkombëtare, me rastet e suksesshme nëpër botë, do krijohet një mozaik i suksesshëm dhe rezultatet pozitive do jenë të paevitueshme.

Mekanizmat kryesorë për të dalë fitimtar në këtë betejë janë: Forcimi i institucioneve të drejtësisë; Pavarësia reale e gjyqësorit dhe prokurorisë; Trajnime dhe mbështetje për gjykatës dhe prokurorë të ndershëm; Hetim dhe ndjekje penale e zyrtarëve të lartë pa imunitet politik; Dënime të drejta dhe transparente për aktet korruptive; Publikimi i kontratave publike, tenderëve dhe shpenzimeve qeveritare; Mbikëqyrje më e fortë e pasurive të zyrtarëve publikë; Gazetaria hulumtuese si mjet për të ekspozuar korrupsionin; Organizatat joqeveritare si zë kritik dhe monitorues i pushtetit; Procesi i integrimit në BE si shtytje për reforma antikorrupsion; Mbështetje teknike dhe financiare për reforma institucionale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here