Maqedonia e Veriut është shteti i parë në Ballkanin Perëndimor si dhe shteti i parë nga ish-Republikat Socialiste të Jugosllavisë që fitoi statusin e vendit kandidat dhe mori ftesë për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian që në vitin 2005. Kjo ngjarje u prit me entuziazëm nga politika dhe shoqëria e asaj kohe, pasi tregonte se vendi ynë ishte në rrugën e duhur drejt integrimeve në institucionet ndërkombëtare. Euforia që shkaktoi kjo ecuri nuk lidhej vetëm me faktin se ne ishim liderë në rajon në këtë proces, por në të njëjtën kohë kjo do të na ndihmonte edhe më shumë për t’i vazhduar dhe thelluar reformat. Një nga kapitujt e shumtë, apo më saktësisht nga 35 që ka gjithsej procesi i negociatave, kapitulli i 23 kishte një rëndësi shumë të madhe për Maqedoninë e Veriut, pasi kishte të bënte me sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore. Ky kapitull kishte një rëndësi jetike për të ardhmen multietnike të shtetit tonë. Sistemi gjyqësor dhe të drejtat themelore kanë qenë thembra e Akilit për shtetin, institucionet dhe shoqërinë tonë që nga pavarësimi e deri më sot.
Fillimi i negociatave ishte një nevojë emergjente, për dallim nga shtetet tjera të kohës, pasi Shkupi jo më shumë se katër vite më parë kishte kaluar një konflikt të armatosur etnik, i cili si pikënisje dhe motiv kishte trajtimin e pabarabartë mes nacionaliteteve që jetonin në vend. Vetoja e Greqisë për shkak të kontestit të pazgjidhur rreth çështjes së emrit të Republikës së Maqedonisë së asaj kohe bëri që vendi ynë ta humbiste shansin për të qenë udhëheqës i rajonit në rrugën drejt Brukselit. Kjo veto jo vetëm që pengoi fillimin e negociatave për një kohë të gjatë dhe na i mbylli portat e Brukselit, por në të njëjtën kohë kjo pati ndikim shumë të fuqishëm në zhvillimet e brendshme, pasojat e së cilave po i përjetojmë edhe sot edhe pse kanë kaluar plot dy dekada. Mallkimi i bllokadës po na ndjek edhe tani, pasi Bullgaria vendosi veto dhe kjo situatë e re po na kthen në periudhën e vitit 2005. Duke qenë se shanset për çdo fillim të mundshëm të negociatave sa vijnë e zvogëlohen, kjo ka ndikuar fuqishëm në procesin reformues dhe shtetndërtues të vendit tonë. Një nga pasojat më të rënda dhe më me ndikim brenda shoqërisë ishte dobësimi i demokracisë dhe pavarësia e institucioneve.
Ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor ndoshta ishin edhe efekti më shkatërrues për demokracinë dhe shtetin ligjor të vendit tonë. Në një shtet ku gjyqësori është i kapur, viktima e tij e parë është sundimi i ligjit. Efekti më i dukshëm i situatës së re post-veto ishte presioni politik mbi një nga shtyllat më kryesore të një shteti siç është gjyqësori. Kjo ndërhyrje prodhoi një efekt domino të fuqishëm në të gjitha sferat tjera të shoqërisë, ku kjo më së miri u manifestua në rritjen e nivelit të korrupsionit në vend, pasi kontrolli i gjyqësorit rriti pandëshkueshmërinë ndaj këtij fenomeni, posaçërisht në nivele të larta. Një efekt tjetër me të cilin u goditëm si pasojë e mos’hapjes së negociatave, përfshi edhe kapitullin 23, ishte edhe goditja ndaj të drejtave themelore, e cila është e një rëndësie jetike për shtete si vendi ynë. Gjyqësori i ndikuar prodhoi drejtësi selektive të cilat u bënë edhe shkak për protesta dhe rritje të tensioneve etnike brenda vendit. Gjyqësori i paanshëm, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit janë jetike për një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut për ta ruajtur kohezionin e brendshëm. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja e të drejtave themelore, lufta kundër korrupsionit, ka bërë që Unioni t’i kushtojë një vëmendje të veçantë këtij kapitulli. Ky është një nga kapitujt që hapet i pari në procesin e negociatave, e që i njëjti mbyllet edhe i fundit, pasi pa një shtet të së drejtës, integrimi në Unionin Evropian mbetet vetëm një dëshirë apo një ëndërr, por jo një realitet që duhet ta kuptojë çdo shtet aspirant, përfshirë edhe shtetin tonë, pra Maqedoninë e Veriut.
Çka përmban kapitulli 23?
Ky është një nga kapitujt më kompleksë dhe më sfidues nga të gjithë kapitujt e tjerë, e për këtë qëllim ai është edhe më i vështiri të cilin duhet me patjetër çdo shtet aspirant ta plotësojë para se të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian. Ky kapitull ka një rëndësi shumë të madhe për Unionin Evropian, pasi përmes tij Brukseli synon që të krijojë një hapësirë sigurie, drejtësie dhe lirie, që janë jetike për zhvillimin dhe ruajtjen e kohezionit brenda një shoqërie me mbi 450 milion banorë. Ky kapitull i ka katër nënfusha kryesore, si: gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, të drejtat themelore dhe të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian. Këto katër ndarje kanë edhe nëndarje të tjera që tregojnë për kompleksitetin, dinamikën dhe rëndësinë që ka ky kapitull në procesin e negociatave dhe të anëtarësimit.
Gjyqësori ka një rëndësi shumë të madhe, pasi përmes tij mundësohet sundimi i ligjit, në të cilin, në kuadër të Kapitullit 23, ka disa nëndarje si: pavarësia e gjyqësorit, paanshmëria e gjyqësorit, llogaridhënia në gjyqësor, profesionalizmi–efikasiteti në gjyqësor dhe ndjekja penale e krimeve të luftës. Korrupsioni zë një vend shumë të rëndësishëm në të drejtën e BE-së, ku në këtë pjesë janë të përfshira konventat e Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës si dhe vendimet dhe rekomandimet e Këshillit Evropian. Të drejtat themelore konsiderohen shumë të rëndësishme për të garantuar të drejtat e qytetarit dhe sundimin e ligjit. Në këtë pjesë janë të përfshira një numër konventash, deklaratash, zotimesh që një shtet kandidat i duhet t’i inkorporojë dhe implementojë në sistemin e tij ligjor. Të drejtat e shtetasve të Bashkimit Evropian nënkuptojnë se çdo shtet anëtar duhet që t’u mundësojë shtetasve të Unionit të ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore. Këto të drejta përfshijnë mundësinë e votimit, mundësinë për kandidim për Parlamentin Evropian, mundësinë për kandidim në pushtetin lokal etj.
Sfidat e Maqedonisë së Veriut në plotësimin e kritereve në Kapitullin 23
Maqedonia e Veriut, e cila, pos faktit që duhet të kalojë kontestin me Bullgarinë, e cila ka ndikuar në vendosjen e vetos në këto momente, ajo gjithashtu duhet që të fillojë dhe të implementojë rekomandimet e Komisionit Evropian për ecurinë reformuese të vendit tonë në përputhje me kriteret e Bashkimit Evropian. Një theks të veçantë në raportet vjetore të Komisionit i kushtohet Kapitullit 23, pra sistemit gjyqësor dhe të drejtave themelore, ku shprehen shqetësime serioze mes asaj që kërkohet në këtë kapitull dhe asaj që ka bërë dhe po bën vendi ynë. Ndonëse Maqedonia e Veriut në vitet e fundit ka shënuar progres relativ, ajo përsëri mbetet shumë larg nga kriteret bazë që janë të vendosura nga Brukseli. Raporti i fundit është një shuplakë për Maqedoninë e Veriut, pasi thekson se është bërë përparim i kufizuar në gjyqësor. Raporti thekson se vendi ka miratuar Strategjinë për Reformën Gjyqësore 2024–2028 dhe ka filluar të zbatojë rekomandimet në përputhje me Kapitullin 23. Pjesa më e madhe e raportit shpreh kritikat për gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor në vend:
- Ndërhyrjet e jashtme apo ato politike vazhdojnë të jenë problem shumë serioz, i cili shprehet qartë në raportin e KE-së dhe në të cilin duhet të merren masa që kjo çështje të përmirësohet;
- Problem tjetër mbetet niveli i ulët i besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor. Në një anketë të bërë disa muaj më parë, tregohen të dhëna alarmante, pasi vetëm dy përqind e qytetarëve kanë besim në gjykatat e vendit;
- Synimi për të shpërbërë Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial shihet si një element mjaft shqetësues, i cili do të minonte pavarësinë e gjyqësorit;
- Në përputhje me Kapitullin 23 dhe acquis të BE-së, KE-ja pret që më së voni deri në dhjetor të këtij viti të miratohet Kodi i ri Penal;
- Një tjetër problem që është detektuar është edhe deficiti i burimeve njerëzore në sistemin tonë gjyqësor, i cili po ndikon në efikasitetin dhe cilësinë e drejtësisë. Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor, sistemit i nevojiten edhe 162 gjyqtarë të rinj, ndërsa sipas Këshillit Prokurorial nevojiten edhe 100 prokurorë të rinj;
- Kërkohet rritje e mbështetjes financiare për sistemin gjyqësor, ku në vitin 2024 kjo mbështetje ishte 0.29% e BPB-së, që është e ulët duke pasur parasysh se shuma e parashikuar me ligj duhet të jetë 0.8% e BPB-së.
Një element tjetër shumë i rëndësishëm në Kapitullin 23 të negociatave është edhe lufta kundër korrupsionit, ku kjo pjesë ishte pashmangshmërisht pjesë e raportit të KE-së për vitin 2024. Në këtë raport theksohet se lufta kundër korrupsionit është përkeqësuar në vendin tonë.
- Kodi Penal i miratuar në shtator të vitit 2023 ndikoi negativisht në ndjekjen e korrupsionit, veçanërisht atij në nivele të larta. Heqja e një kategorie specifike veprash penale, veçanërisht “shpërdorimi i detyrës në prokurimin publik”, konsiderohet veçanërisht problematike;
- Shumë çështje të korrupsionit të lartë janë pushuar për shkak të vjetërsimit të lëndës ose për shkak se vepra penale e shpërdorimit të detyrës në prokurimet publike nuk ekziston më;
- Zyra e Prokurorit Publik për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (ZPPKP) ka një buxhet dhe staf të pamjaftueshëm për të ndjekur rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar;
- Sa i përket zbatimit të strategjisë kombëtare për “Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit (2021–2025)” dhe planit të veprimit përkatës, raporti thekson se progresi i implementimit të këtyre strategjive vazhdon të jetë i ngadaltë.
Ndërsa sa i përket të drejtave të përgjithshme, këtu, në krahasim me kriteret pararendëse, qëndrojmë më mirë. Korniza e përgjithshme për të drejtat themelore është përgjithësisht e kënaqshme, pasi Maqedonia e Veriut ka ratifikuar pjesën më të madhe të konventave për të drejtat e njeriut.
Rekomandim për vendin tonë në rrugën integruese dhe implementimin e Kapitullit 23
Nëse hedhim një vështrim mbi Raportin e KE-së, që është udhërrëfyesi dhe pasqyra jonë në rrugën drejt Unionit, posaçërisht në pjesën që mbulon Kapitullin 23, ky raport na tregon se ne si shtet jemi në rrugën e duhur për të arritur standardet dhe kriteret e Unionit, por që duhet ende shumë punë për t’i realizuar ato. Nga vërejtjet që na dha KE-ja, ne si vend duhet të nxjerrim disa mësime, dhe ato janë:
- T’i kushtohet rëndësi e madhe raporteve vjetore të Komisionit Evropian dhe të punohet për t’i adresuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre;
- Të sigurohet pavarësia e gjyqësorit, pra të hiqet dorë nga çdo lloj ndërhyrjeje dhe presioni politik në punën e tij;
- Të jepet drejtësi e paanshme, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare të qytetarëve të vendit tonë, pasi kjo ruan kohezionin e brendshëm;
- Të miratohet kuadri ligjor i cili është në përputhje me Kapitullin 23 dhe të drejtën e Bashkimit Evropian;
- Të rritet mbështetja financiare dhe burimet njerëzore me qëllim që drejtësia të jetë më efikase dhe cilësore.
Vetëm nëse ne vërtet punojmë për t’i plotësuar kushtet dhe kriteret e Brukselit, atëherë në një të ardhme të afërt mund të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane; në të kundërtën, rrezikojmë që të shkojmë drejt izolimit, i cili pashmangshmërisht sjell autokraci dhe paqëndrueshmëri.
Shkruan: Nefail Emini – gazetarë




